Aktivitet sensibilizues “Dhuro gjak, shpëto jetë!”


Të dhurosh gjak do të thotë të japësh shpresë, të shpëtosh jetë!

Kompanitë “Al Trade Center” dhe “Al Trade Holding” në bashkëpunim me “Qendrën e Transfuzionit të Gjakut”, kanë marrë iniciativë për dhurimin e gjakut nga stafi i të dy kompanive dhe të gjithë ata të cilët kanë pasur dëshirën dhe vullnetin t’i bashkangjitën këtij aktiviteti human. Aktiviteti është organizuar për 3 ditë radhazi. Kompania “Al Trade Center” dhe “BAU Market” kanë vënë në dispozicion lokalet e tyre, të cilat u shndërruan në një ambient të përshtatshëm për pozicionimin e pajisjeve që do të përdoreshin gjatë procesit të dhurimit të gjakut.

Dhurimi i gjakut është një akt i thjeshtë personal, i pa dhimbshëm, por me vlera të mëdha humane dhe civile. Punonjësit e “Al Trade Center” dhe “Al Trade Holding” janë treguar të gatshëm për të dhuruar gjakun e tyre në ndihmë të të gjithë personave në nevojë, për të cilët gjaku është shpëtim i jetës. Mirëpo, nuk ka munguar as kontributi i vullnetarëve tjerë të cilët ju bashkuan këtij aktiviteti shumë domethënës, si një shenjë humanizmi për t’i dhuruar një buzëqeshje në ditën kur ata kanë nevojë.
Sipas “Qendrës së Transfuzionit të Gjakut”, kerkesat per gjak janë tepër të mëdha, ku brenda 24/h, ka rreth 100-120 doza gjaku që kërkohen për pacientët në nevojë për gjak vetëm në “Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, pa llogaritur të aksidentuarit që kanë nevojë urgjente për gjak apo pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

“Sot, përfunduam kampanjën e dhurimit vullnetar të gjakut në “Al Trade Center” dhe “Bau Market”. Kampanjë e cila zgjati 3 ditë. Me këtë rast falënderojmë të gjithë ata që dhuruan gjak dhe që benë të mundur realizimin e këtyre aksioneve shumë të suksesshme. Është kënaqësi bashkëpunimi kaq i shëndoshë, sidomos me sektorin privat, ngase zakonisht është problematikë të realizohen aksione të dhurimit vullnetar të gjakut të këtij niveli, e ju jeni model për shumë organizata dhe kompani tjera. Ju falënderojmë po ashtu në emër të të gjithë atyre në nevojë, të cilët do t'i marrin këto doza gjaku. Paqi shëndet të plotë dhe qofshi gjithmonë dhurues vullnetar të gjakut!”. (Qendra e Transfuzionit të Gjakut, Prishtinë)

Kompania “Al Trade Center”, është ndarë mjaft e kënaqur si nga ana e pjesëmarrjës së stafit në aktivitetin e dhurimit të gjakut, po ashtu edhe me gatishmërinë dhe bashkëpunimin nga ana e “Qendres së Transfuzionit të Gjakut” në Prishtinë. Shpresojmë që ky aktivitet të jetë një mundësi më shumë për të ofruar ndihmë për njerëzit në nevojë.

Së bashku, jemi të lumtur!
Al Trade Center
22 Maj, 2017

Fotografi gjatë aktivitetit